“Në një akt të turpshëm dhe të paprecedentë, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar moslejimin e vendosjes në Tiranë të shtatores së presidentit Ibrahim Rugova”.
Kështu deklaroi sot gjatë një konference për shtyp nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.
“Shtatorja e Ibrahim Rugovës tashmë e përfunduar me kontributet vullnetare të qytetarëve të Tiranës, siç dhe kishte premtuar kryetari i Bashkisë Lulzim Basha do të vendosej në rrugën që mban emrin e tij përballë parkut Rinia.
Propozimi i kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha është refuzuar të merret në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak me urdhër të Edi Ramës, me pretendimin se i ka mbaruar mandati, por ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, në nenin 31 të tij, “për funksionimin e këshillit komunal ose bashkiak”, në pikën 1 të tij thekson se Këshilli Komunal dhe ai bashkiak ushtron funksionet e tij, qysh nga krijimi, sipas nenit 26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës,” tha Xhindi, transmeton mapo.al.
“Pra, refuzimi është thjesht dhe vetëm alibi, për të mos lejuar vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë. Tirana, kryeqendra e shqiptarëve e ka për krenari të lartësojë shtatoret e heronjve të kombit dhe arkitektëve të lirisë së saj. Krah shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, shtatorja e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit të parë të saj Ibrahim Rugova i bën nder Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, por mesa duket për Edi Ramën është më e rëndësishme të bllokojë kryebashkiakun Basha, se sa të nderojë, siç u takon personaliteteve të kombit shqiptar”.
“Për fat të keq, ky vendim absurd dhe i turpshëm është jo vetëm në vijim të bllokimeve politike por edhe shenjë mosvlerësimi ndaj figurës së Ibrahim Rugovës, në vazhdën e qëndrimeve shpërfillëse që Edi Rama ka mbajtur edhe më herët si për shembull në Kuvendin e Kosovës”.