Nga Hysni Gurra
Nëse nuk e mbani mend, po e përsëris, SPAK u krijua për të mbrojtur Erion Veliajn (specifikisht) dhe Edi Ramën ‘nominalisht’.
Erion Veliaj është i pari kryebashkiak në historinë e planetit, që dyshohet se ka ngritur skema korruptive të paimagjinueshme edhe nga mendjet më të zeza për korrupsion në planet. U vjedh qytetarëve dy herë taksat dhe të dyja herët me po të njëjtët njerëz.
Mirëpo, njëkohësisht është edhe i pari kryebashkiak i përkëdhelur nga ambasadorët e huaj në të tillë formë. Shumë nga ambasadorët e huaj në Tiranë thonë nëpër tavolina me gazetarët, ‘mbajeni mirë me atë’. Ajo banorja e ishujve Guam( Yuri Kim) e thoshte vazhdimisht.
Është gjithashtu i pari kryebashkiak në botë që kryeministri i vendit e ka frikë për vdekje. Po, Edi Rama e ka frikë tashmë.
Erion Veliaj është i pari kryebashkiak që kontrollon organet e drejtësisë së paku sa kryeministri i vendit.
Mos ju duket çudi të imagjinoni Edi Ramën duke shkuar e duke iu servilosur Veliajt që ta mëshirojë.
Si këto; ‘i vetmi, i pari…’ mund të radhisja sa të dush.
Tani pse i them këto?
Mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, e përsëris, preferoj më shumë t’i zgjatet jeta politike disa ditë më shumë të parit, sesa të vijë i dyti në krye të asaj partie.
Erion Veliaj është sinonim i profetit të rremë (nuk po rri ta shpjegoj, kush e kupton e kupton).
Nuk ka mjeshtër më të zotin se ai që, ndërkohë që është duke të zhytur të dyja duart në xhep duke të vjedhur, t’i rrëmbejë viktimës edhe një buzëqeshje bashkë me paratë. Këtë gjë e bën Erion Veliaj prej gati 20 vjetësh.
Erion Veliaj prej 2015 e këtej ka ngritur një parti socialiste paralele, një qeveri paralele, një grup parlamentar paralel, ka formuar grupet e tija kriminale paralele, ka ngritur skuadrën e tij paralele të vjedhjes së buxhetit dhe vjedhjes së votave…
Shumë thonë që Rama e zhbën kur të dojë, nuk është plotësisht e vërtetë as kjo.
Nuk është e vërtetë pasi Erion Veliaj kontrollon drejtësinë thuajse aq sa Rama, pra, ka kontroll paralel edhe aty.
Ata dy njerëz ka shumë kohë që shkojnë shumë me njëri-tjetrin prej hallit, jo prej mallit.
Rivaliteti, padurimi i Veliajt për t’i zënë vendin janë të dukshme dhe ai nuk fshihet më.
Së fundi, të dy janë nën akuza të rënda për korrupsion që nga inceneratorët, konçensionet e shëndetësisë, tenderat, lidhje me narko-trafikun, ‘5D’-ja etj.
E përbashkëta e të dyve në këtë rast është se nuk merren të pandehur asnjëri, megjithëse se provat dhe faktet janë ulëritëse.
Ndërkohë që SPAK ka burgosur liderin e opozitës prej më shumë se 3 muajsh pa asnjë fakt e provë, nuk guxon të përmendë emrat e Edi Ramës dhe Erion Veliaj në asnjë nga dosjet e aferave korruptive dhe lidhjeve me krimin, ku të dy dalin gjithmonë.
Pse thashë në fillim që Rama nuk e ka të lehtë të hajë kokën e Veliajt?
Sepse, besoj, tani është e kuptueshme për të gjithë në fund të shkrimit, asnjë kryebashkiak socialist e asnjë ministër nuk e ka patur këtë ‘fat’ që ka Veliaj, asnjë nuk e ka patur këtë trajtim nga drejtësia, asnjë nuk e ka patur këtë cubllik ndaj Ramës.