Rama: Nesër nisin punimet e “Rrugës A” – ngarkesa në trafik edhe si shkak i mungesës së shkollave

E publikuar: 27/04/2023 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Perparim Rama

Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se nesër do të nisin punimet në “Rrugën A”, për të cilën tha se është një rrugë me rëndësi të madhe për Prishtinën.

Rama tha se kjo rrugë do të ndërlidh lagjen “Kalabria” me lagjen “Prishtina e Re” e me “Vetërnikun”, teksa shtoi se brenda 240 ditëve pritet që kjo rrugë të përfundojë, teksa shtoi se faza e parë e këtij projekti do të kushtojë 8.4 milionë euro.

“Kemi bashkëpunim të mirë edhe me Ministrinë e Infrastrukturës, ku jemi duke punuar bashkë në shpimin e zonës përfundi Vetërnikut, që do të mundësojë edhe ndërlidhjen direkte në mes Prishtinës së Re dhe Kalabrisë”.

“Paralelisht kemi punuar edhe në aspektin e shpronësimit që ndërlidhen me vazhdimin e rrugës ‘B’. Tani rruga ‘B’ është një rrugë me densitet të lartë ku ka munguar ndërlidhja mes ‘Rrugës B’ me ‘Rrugën A’”, tha Rama në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, ai foli edhe për ngarkesën e trafikut në qytet, për të cilin tha se njëra ndër arsyet është edhe mungesa e shkollave në periferi të qytetit.

“Në orën 16:00 qyteti është i ngarkuar për shkaqe të ndryshme, ku të gjithë punonjësit kthehen prej punës e po ashtu kemi probleme edhe në mungesë të shkollave në zonat për rreth, ku tash kemi filluar ndërtimin e pesë shkollave në periferi të Prishtinës dhe kjo do ta ndihmojë shumë trafikun” tha Rama, njofton Klankosova.tv.