Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se refuzimi për të votuar sot për nxjerrjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) do të përbënte mohimin e të drejtës së qytetarëve për të qenë pjesë e procesit vendimmarrës mbi zhvillimin e kryeqytetit.
“Sot votohet për transparencë të plotë”, u shpreh Rama në një reagim publik.
Ai theksoi se pas një viti e gjysmë bllokimesh, PZHK-ja vazhdon të pengohet “nga ata që nuk po duan që qytetarët të kenë qasje, informacion dhe të drejtë fjale për të ardhmen e qytetit”.
Sipas Ramës, votimi i sotëm në Kuvendin Komunal nuk ka të bëjë me miratimin përfundimtar të planit, por me mundësinë që ky dokument të bëhet publik dhe të hapet për komente, propozime dhe vërejtje nga qytetarët.
“Nëse nuk votohet sot, qytetarëve u mohohet e drejta të jenë pjesë e një procesi që vendos për lagjet, infrastrukturën, gjelbërimin dhe zhvillimin urban të Prishtinës”, ka shkruar Rama në Facebook.


















