Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha nga Beogradi se nëse Kosova do të ishte ulur në tryezën e “Ballkanit të Hapur”, marrëveshja e arritur me Serbinë për lëvizjen e lirë do të zgjidhej me kohë.
Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve në kuadër të “Ballkanit të Hapur” Rama ka mohuar të ketë thënë që “Ballkani i Hapur” dhe ai personalisht kanë luajtur rol në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, më 27 gusht.
Rama gjithashtu e ka quajtur si vendim të gabuar faktin se Kosova ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme nismën e “Open Balkan”, meqë sipas tij po të ishte ulur në tavolinë, çështja e lëvizjes së lirë do të ishte zgjidhur.
“Unë kam thënë që zgjidhja që iu dha një ngërçi të gjatë dhe të përsëritur, është një zgjidhje e kornizës së ‘Ballkanit të Hapur’ në sensin që ne të gjithë këtu qarkullojmë me karta identiteti. Prej kohësh, sot, ata që lëvizin nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe anasjelltas nuk kanë nevojë fare për pasaporta. Nëse Kosova do të ishte e ulur në tryezën e Ballkanit të Hapur dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante dhe tërësisht të gabuar për të, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Nuk thash se këtë e ka zgjidhur kjo treshe as që unë dhe Shqipëria kemi luajtur ndonjë rol”, ka thënë Rama, shkruan abcnews, transmeton Klankosova.tv.