Edi Rama ka thënë se Shqipëria ka mbështetur fuqimisht përfshirjen e shteteve të Ballkanit në procesin e integrimit euro-atlantik, veçanërisht për Kosovën, për të cilën Rama kërkoi liberalizimin një orë e më parë të vizave, që po e mbajnë kyçcur popullin e Kosovës, si të vetmin vend në Europën e sotme.
“Shqipëria në Samitin e NATO-s në Uells e ka mbështetur fuqimisht nevojën për të përfshirë sa më shpejt në procesin e integrimit euro-atlantik të gjitha vendet e Ballkanit, duke pasur parasysh specifikisht Malin e Zi, Kosovën pa dyshim që ne e shohim si pjesë të pandarë të këtij procesi, dhe si një hapësirë që nuk duhet lënë të zbrazet nga aspiratat shumë të forta të qytetarëve të Kosovës në funksion të paqes, në funksion të bashkëpunimit rajonal, dhe në funksion të betejës së përbashkët kundër terrorizmit.
Dhe këtu sigurisht vlen sa nxitja për të shtyrë procesin e përafrimit dhe më tutje të integrimit të Kosovës në NATO, aq edhe thirrja për bashkimin europian që më në fund dhe një orë e më parë tu jap mundësi qytetarëve të Kosovës të mos ndihen si të kyçur në një karantinë abusrde për shkak se janë i vetmi popull në Europën e sotme që nuk lëvizin dot të lirë dhe që për të lëvizur duhet të vazhdojnë të aplikojnë për viza, gjë që nuk e kanë bërë as kur ishin në diktaturë dhe ky është një paradoks dramatik, që rrezikon të zbrazë Kosovën nga një aspiratë e madhe dhe që nuk ndihmon në procesin për të cilin ne jemi të angazhuar dhe të shqetësuar por përkundrazi çon ujë (siç i themi në në shqip) në mullirin e armikut,” tha më tej Rama.
Duke iu rikthyer edhe një herë çështjes së Maqedonisë dhe ngjarjes së Kumanovës Rama iu kërkoi autoriteteve të këtij shteti që të mos i japin terrorizmit prapashtesë etnike, pasi shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues; i padiskutueshëm; i pazëvendësueshëm për integritetin e shtetit maqedonas.