
Edi Rama
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet mbi supet e konsumatorëve, ndërsa shtoi se kjo përkthehet me marzhe më të ulëta fitimi për kompanitë furnizuese.
Rama zhvilloi sot një takim me furnizuesit e naftës në ambientet e “Shtëpisë së biznesit”, ku u diskutua mbi përpjekjet për të përballuar impaktin e krizës aktuale globale, duke mbrojtur sa më shumë konsumatorët.
Kreu i qeverisë ftoi operatorët të ruajnë ekuilibrin që kanë ruajtur deri tani, ndërsa theksoi se nuk është parë e arsyeshme që të krijohet bordi i transparencës.
“Nëse dialogu funksionon siç ka ndodhur deri tani ne qëllimin nuk e kemi që t’ju shtrëngojmë ju në punën tuaj por bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorit. Kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju”, shtoi Rama.
Duke folur për situatën e rritjes së çmimit në tregun global, kryeministri theksoi se sfida është e hapur dhe askush nuk mund të thotë se kur do të mbyllet ajo betejë që mban faktikisht lidhur pas vetes edhe çmimin e naftës, transmeton ATSH.
“Nuk di të thotë askush si do të shkojë çmimi në bursë, do ketë rritje të mëtejshme apo do të stabilizohet në një pikë të caktuar, por është e sigurt që ne duhet të bëjmë atë që na takon”, shtoi Rama.

















