Rama ka një porosi për Vuçiqin: Para së gjithash, liro tre policët

E publikuar: 22/06/2023 21:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Edi Rama

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas kërkesës së Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Joep Borrell, i cili i ka kërkuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq që t’i lirojë pa kushte tre policët e Kosovës që po mbahen të burgosur në Serbi.

Rama, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se pa largimin e tre policëve kosovarë shëndosh e mirë nga Serbia nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përpara në dialog.

“Pa largimin e tre djemve shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë!”, ka shkruar Rama transmeton Telegrafi.

“Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por, para së gjithash: Liro tre policët”, ka shkruar Rama.

 

Rama edhe tre ditë më parë ka reaguar sërish në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe duke paralajmëruar një bllokim të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë nëse kjo e fundit nuk liron policët kosovarë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, tha Rama në një postim në Twitter.

Rama në reagimin e tij se tha se nëse nuk do të ketë shtensionim të situatës atëherë e humbura e madhe do të jetë Kosova.

Ndërsa Josep Borrell, pas takimit të sotëm me Vuçiqin, deklaroi t’i ketë thënë presidentit serb se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.