“Nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë një nismë nga unë, që të ketë për qëllim cenimin e lirisë së shtypit”, kështu u shpreh kryeministri Rama, në përfundim të takimit me aleatin Meta.
Kreu i qeverisë ripërsëriti se projektligji për shpifjen përfshin vetëm të zgjedhurit me votë nga qytetarët dhe funksionarët e lartë që keqpërdorin kompetencat e tyre dhe nuk ka të bëjë me median.
Rama i është përgjigjur interesimit të gazetarëve fillimisht lidhur me temën e takimit me Metën, duke u shprehur se është diskutuar rreth raportit të progresit dhe angazhimeve që rrjedhin prej tij.
“Ne çdo të premte mbledhim njësinë e koordinimit të koalicionit. Sot ishte progres-raporti. Është më i miri ndonjëherë dhe e vendos Shqipërinë në një nivel të vlerësueshëm lart”, tha Rama.
Rama i cilësoi fantazi hipotezat për zgjedhje të parakohshme, ndërsa në lidhje me zërat për një çarje të mundshme të koalicionit, ai tha se më mirë se asgjë për forcën e tij flasin reformat dhe ecuria e tyre.
“Forcën e koalicionit dhe qeverisë e përcakton ecuria e reformave dhe për këtë mund t’i referoheni suksesit të Eurobondit, Bankës Botërore etj. Të gjitha tregojnë rezultatet e para. Kush ka pritur rezultate që në dy vitet e para, nuk i ka thënë kurrë punës mirëmëngjesi”, tha ai.
Në lidhje me pyetjen se si e komenton largimin e deputetëve të LSI-së nga seancat e fundit, Rama tha se qëndrueshmërinë se koalicionit në Parlament më shumë se çdo gjë tjetër e tregojnë votimet.
“Sesi është raporti dhe çfarë qëndrueshmërie ka koalicioni në Parlament e tregojnë votimet”, tha Rama.
Ndërsa në lidhje me përzgjedhjen e ministrit të ri të Drejtësisë, Rama tha se është një zgjedhje e bërë me vullnet të lirë.
“Zgjedhja e ministrit të ri është zgjedhje e bërë absolutisht me vullnetin tim të lirë e të plotë”, tha ai.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri takohet me ambasadorin amerikan Donald Lu. Takimi Tahiri-Lu në ambientet e Gardës së Republikës, ndërkohë që temat e bisedimit nuk dihen ende.