Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka akuzuar nivelin qendror për mosbashkëpunim sa i përket projektit të Unazës së Kryeqytetit.
Rama ka thënë se përkundër se për këtë projekt 40 përqind e buxhetit pritet të jetë grant prej komunitetit evropian, qeveria nuk po jep garancë që projekti të shtyhet tutje.
“Çështja tjetër është Unaza e Kryeqytetit, projekt kyç jo vetëm për kryeqytetin, por edhe tërë Kosovën. Ky projekt me kosto 206 milionë euro, është i gatshëm…por vazhdon të qëndrojë si një projekt që nuk përkrahet nga qeveria, përkundër faktit se kemi 40 përqind të buxhetit, i cili do të duhej të ishte donacion, pra grant prej komunitetit evropian. Është kërku garancia e qeverisë, por kjo nuk është dhënë. Nuk e shohin si një projekt që është me rëndësi të madhe për Prishtinën, apo Kosovën. Lus që më 2025 të kemi një reflektim nga qeveria dhe të investohet në këtë projekt madhor”, tha Rama para mediave.
Rama disa herë ishte ankuar publikisht se Ministri i Financave, Hekuran Murati nuk po e jep nënshkrimin, që do t’u mundësonte të vazhdonin tutje me procedurat rreth projektit.
Ai ka thënë se sfidë për kryeqytetin mbeten edhe qentë endacakë, për çka ka kërkuar edhe ndihmën e pushtetit qendror.
“Sfida kryesore është edhe aspekti që kemi me qenë endacak. Kryeqyteti vetëm ka adresuar këtë problematik duke stimuluar adoptimin. Deri tani kemi dhënë për adoptim 600 qenë endacak, dhe janë kërkesa edhe për 1000. Uroj që viti ri të jetë bashkëpunues”, tha Rama.