Mikrobiologu, Lul Raka përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues, pasi kapaciteti shëndetësor i Kosovës po ngarkohet.
Raka tutje ka thënë se kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanët, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjellët, raporton Front Online.
Raka ka apeluar politikanët që të kthjellen, bashkohen dhe të tregojnë lidership në këto kohë të vështira.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
COVID-19 NUK është rrenë! Mund të prek TY ose më të dashurit Tuaj!
Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues. Shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po ngarkohet disa ditës!
Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjelltë.
Qytetarë të dashur, Ju lutem t’i zbatoni këshillat sot, sepse nesër mund të jetë vonë:
1. Mbani distancën fizike kudo dhe gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim!
2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë, vendosni maska!
3. Mbani higjienën e duarve!
Politikanë të nderuar: Ju lutemi kthjelluni, bashkohuni dhe tregoni lidership në këto kohë të vështira.
Parandalimi i sëmundjes është arma e vetme në duart tona!
Vetëm së bashku e përballojmë këtë sfidë!