Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në një takim kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet shumë pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tyre.
Në këtë takim u theksua nevoja e ruajtjes së stabilitetit politik ndër fqinjësor, si dhe e thellimit të bashkëpunimit në fushat me prioritet, si ajo ekonomike dhe arsimore. U vlerësua, gjithashtu, se lëvizja e lirë e qytetarëve, ideve, mallrave dhe shërbimeve, begaton edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyer fqinjësor midis dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar rëndësinë e kultivimit të mëtejmë të paqes dhe forcimit të stabilitetit në mbarë rajonin tonë, në frymën e orientimeve të përbashkëta euroatlantike. “Rruga jonë dhe vlerat tona të përbashkëta janë brenda integrimeve euroatlantike, prandaj fqinjësia e shkëlqyer ndërshtetërore bëhet edhe më kuptimplotë”, ka theksuar kryetari Veseli.
Ndërkaq kryetari i BDI-së, Ahmeti, e ka vlerësuar lart hapat që ka bërë Kosova në rrugën e saj të zhvillimit e të integrimit, ndërsa potencoi interesimin me të cilin ndiqen zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj.
Në takim u vlerësua se duke pasur parasysh që Kosovën dhe Maqedoninë, si dy shtete fqinjë, i lidhin shumë interesa të përbashkëta, ato duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në çdo proces.
Rajoni duhet të ketë stabilitet
NGA KATEGORIA