Pesha e mbajtësve kryesore të borxhit të brendshëm ka rënë ndjeshëm gjatë vitit 2014. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave të Shqipërisë borxhi i brendshëm ka pësuar një diversivifikim të konsiderueshëm dhe në të njëjtën kohë është shoqëruar me një rritje të pjesëmarrësve në tregun primar të instrumenteve financiarë shtetërorë.
Pesha e “Raiffeisen Bank” është ulur me rreth 3.4 pikë përqindje, duke mundësuar limitimin e varësisë për rifinancim nga ky investitor dhe shpërndarjen e peshës në investitorët e tjerë.
Pesha e Bankë së Shqipërisë në borxhin e brendshëm është ulur me 0.86 pikë përqindje duke i lënë hapësirë investitorëve të tjerë të tregut primar. Por gjithashtu vihet re edhe ulja e peshës së individëve në portofol me 0.85 pikë përqindje. Ministria e Financave në dokumentin e fundit për zhvillimit e borxhit publik me 2014 shpjegon, se realisht nuk ka pasur një rënie të interesit të individëve kundrejt instrumenteve financiare shtetërore, por rënia e peshës që përfaqësojnë individët, shpjegohet me faktin që individët kanë filluar që të përdorin si ndërmjetës fondet e investimit (Prestige Fund), të cilat ofrojnë norma më të favorshme për shkak të diversifikimit të portofolit të instrumenteve.
Kërkesa dhe likuiditet e ofruar nga pjesëmarrësit në tregun primar të titujve qeveritarë afatshkurtër ka qenë më e lartë krahasuar me titujt afatgjatë. Ndërkohë, mosrealizimi i ankandeve të obligacioneve ka krijuar presione për rritjen e normave të interesit dhe ka bërë që kurba e normave të interesit të titujve afatgjatë të shfaqet e zhvendosur lart.
Gjatë vitit 2014 instrumentet që kanë pësuar rënien më të madhe të normave të interesit janë bonot e thesarit 3-mujore dhe 12-mujore, normat e të cilave janë ulur përkatësisht me 48 dhe 44 pb krahasuar me fundin e vitit 2013. Ndërkohë instrumentet, normat e të cilave kanë pësuar rritje, janë obligacionet 3 dhe 7-vjeçare, përkatësisht me një rritje prej 34 dhe 22 pb.
Ministria e Financave shpjegon se diversifikimi i bazës së investitorëve ka ndikuar konsiderueshëm në zhvillimin e tregut primar vendas, por mbështetja e borxhit vendas në më shumë se 75% tek sistemi bankar dhe angazhimi i një pjese të konsiderueshme të aseteve të tij përbën risk të konsiderueshëm për ecurinë në terma afatgjatë./monitor/
Raiffisen Bank humb 3.5 për qind në borxhin e qeverisë
NGA KATEGORIA