Raiffesisen ndëshkon pensionistin

E publikuar: 03/02/2016 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shaqir Elshani nga Malisheva ka gjashtë vite që nuk e merr pensionin që i takon.

Në vend të tij, çdo muaj e merr Banka Raiffeisen. Madje kjo e fundit i është gëzuar vendimit të qeverisë së Kosovës për rritje të pensioneve, pasi me paratë e Elshanit, do të shlyej obligimin e kredisë së një kompanie nga Malisheva.

Në vitin 2007 i afërmi i pensionistit Elshani, Ilaz Helshani pronarë i kompanisë “Eelshani”, ka marrë një kredi prej 50 mijë euro në bankën Raiffesien dega në Malisheve. Bazuar në dokumentet që ka siguruar Gazeta Fjala, kjo kredi është dashur të paguhet deri në vitin 2012.

Në mesin e dy garantuesve tjerë është edhe Shaqir Elshani, i cili thotë për Gazetën Fjala se vetëm ai është ndëshkura nga banka.

“I vetmi garantor, i cili është prekur nga kredia në fjalë jam unë dhe kjo falë llogarisë time pensionale që ishte në Raiffeisen Bank, e qe sipas tyre e ka bere te lehte mbylljen e kesaj llogarie dhe të gjitha të hyrat në të, pa ndonjë urdher gjykate që nga viti 2010”, tregon Elshani.

Sipas dokumentacionit të ofruar nga ai, që nga muaji korrik i vitit 2010, ky pensionist asnjëherë nuk ka mundur ta terhëq paratë e pensionit të tij prej 80 euro sa kishte qene fillimisht e as pas vitit 2012 kur është rritur.

“Asnjë garantuesi tjeter nuk i ka ndodhur e njejta gje. Pavarsisht se njeri nga ata, eshte ne gjendje ta mbylle kredine me qarkullimin e tije po ne Raiffeisen Bank. Pra kemi nje trajtim të pabarabarte të garantuesve”, vazhdon rrëfimin e tij pensionisti Elshani.

Ndërkaq, përfaqësuesit e kompanisë për të cilën ai garantoi, nuk kanë qenë në dispozicion të flasin për këtë çështje.

Gazeta Fjala ka provuar të vë kontakt me pronarin e kompanisë, Ilaz Helshanin, por ai nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Edhe zyrtarët e bankës Raiffeisen, nuk kanë dhënë informata lidhur me rastin, duke u arsyetuar në konfidencialitetin e klientëve, përveç se tregojnë që e kanë njoftuar klientin lidhur me tërë procesin.

Ilirjana Tahiraj zyrtare për informim në këtë bankë tha se të dhënat që lidhen me klientë të caktuar, nuk kanë të drejtë që ato t’i bëjnë publike.

Në departamentin për sherbime për klientë, sipas saj, ky klient e ka adresuar çështjen dhe se atij i është sqaruar rasti.

“Ndërsa, unë nuk guxoj ta jap asnjë informacion sa i përket rasteve që lidhen me llogaritë e klientëve meqenëse kjo konsiderohet si shpalosje e të dhënave të klienteve. Pra, e kemi të ndaluar me ligj të shpalosim të dhenat e klientëve”, ka thënë Tahiraj.

Ajo i ka rekomanduar Elashanit që ti drejtohet Bankës Qendore, nëse është i pakënaqur me përgjigjen që ka marrë nga Raiffeisen.

“Kjo është mënyra se si parashihet trajtimi i ankesave te klienteve edhe në rregulloren e BQK-së”, është shprehur Tahiraj