Çdo baba në botë do të dëshironte që në këto momente të ishte në vendin e tij. Ragip Xhaka, i ati i Granitit dhe Taulantit po përjeton një moment të veçantë në jetën e tij pasi të dy djemtë do të jenë pjesë e Euro 2016 edhe pse me dy Kombëtare të ndryshme. Një detaj që gazeta më e madhe zvicerane “Blick” e cilëson si të pazakontë, duke e zhvendosur vëmendjen në familjen më të famshme të futbollit në Zvicër. Graniti do të mbajë të veshur fanellën e vendit që e bëri të famshëm, ndërsa Taulanti është veshur kuqezi. Dy zgjedhje të ndryshme por që nuk i ndajnë rrugët e dy lojtarëve, të cilët do të udhëtojnë drejt Francës edhe pse jo me të njëjtin avion. “Ndonjëherë nuk arrij ta besoj këtë gjë. Unë jam babai më i umtur në botë“, thekson Ragipi në një intervistë dhënë për “Blick”.
25 vjet më parë ai dhe familja mbërritën si refugjatë në Zvicër duke niusr një jetë të re, por asnjëherë nuk e kishin menduar se dy djemtë e tyre do të bëheshin yje futbolli për dy vende të ndryshme. “Kam një ndjesi që Shqipëria dhe Zvicra nuk do të shortohen në të njëjtin grup, por edhe nëse ndodh, unë do të jem neutralë në sfidën mes tyre“, shton ai.
“Blick” e mbyll shkrimin duke kujtuar se dy vëllezërit nuk janë ndeshur asnjëherë me njëri-tjetrin në nivel kombëtaresh pasi në vitin 2014 kur Zvicra zhvilloi dy ndeshje me Shqipërinë për Eliminatoret e Botërorit 2014, Taulanti nuk ishte pjesë e skuadrës së De Biasit. Gjithsesi, rrugët e tyre mund të kryqëzohen një ditë dhe ajo ditë mund të jetë e afërt. Nëse dy djemtë e familjes Xhaka do të jenë kundërshtarë për dy kombëtare të ndryshme, por kjo pak rëndësi ka për Ragipin sepse siç e thotë edhe vetë ai, Taulanti dhe Graniti janë krenaria e familjes së tij.