Ragip Xhaka ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër.
Xhaka deklaroi se zgjedhjet e fundit janë një moment reflektimi për këtë parti.
“Ato kërkojnë analizë të qetë, përgjegjësi kolektive dhe angazhim të shtuar për të forcuar strukturat tona dhe për t’u përgatitur më mirë për sfidat që na presin”, deklaroi Xhaka.
Ai theksoi se do të vazhdojë të mbetet anëtar i PDK-së.
“Dua ta theksoj qartë dhe pa asnjë dilemë: unë do të mbetem gjithmonë anëtar besnik i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë së themeluar mbi sakrificën dhe vizionin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, partisë që i dha Kosovës lirinë dhe shtetin”, shtoi ai.
Babai i futbollistëve Taulant dhe Granit Xhaka, falënderoi kryetarin aktual Bedri Hamza dhe ish-kryetarin Memli Krasniqi, e po ashtu edhe kryetarin e Komisionit për Mërgatën, Elmi Reçica.

















