
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 15% ka një ndikim të drejtpërdrejt tek qytetarët, duke ndikuar në faturat e amvisërive dhe të bizneseve të vogla.
‘’Ngritja e çmimit të rrymës prej 15% ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarin, me faturat e amvisërisë dhe bizneset e vogla’’, tha Rafuna.
Ai theksoi se kjo rritje do të ketë pasoja negative, duke ulur standardin jetësor të qytetarëve dhe duke rënduar më shumë ata që tashmë paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Për bizneset e vogla, rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë në prodhim dhe ofrimin e shërbimeve.
‘’Kjo rritje pa dyshim ka efekt sepse ndikon në prodhim, ose ofrimit të shërbimeve sa i përket bizneseve të vogla, kurse varfëron qytetarin, e ul standardin jetësor të qytetarit sepse ai tash paguan 15% më shtrenjtë rrymë sesa që ka paguar’’, deklaroi kryetari i OEK.