Partitë opozitare në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kanë kërkuar që Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës.
Kundër kësaj u shprehen anëtarët e këtij Komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje.Me këtë rast, mbledhja vazhdoi me rendin e ditës. Situata në veri, ishte interesimi i deputetëve të këtij Komisioni.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi të di për sigurinë e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit.
“Ne e dimë që në veri pritet të mbahen zgjedhjet dhe shihet qartë që po krijohet një pasiguri e madhe për qytetarët atje. Më intereson në asketin organizativ, sa po iu mundësohet siguria qytetarëve në atë pjesë”, pyeti Lushtaku.Por kundër kësaj pyetje ishte deputetja e VV-së, Jeta Statovci.
“Ne veçse e miratuam rendin e ditës dhe nuk besoj se është mirë me fol për çështje tjera. Nuk është i ftuar për këtë pjesë por për raportin Vjetor Financiar për vitin 2021”, tha Statovci.
Mbështetje deputetit të PDK-së i dha Eman Rrahmani nga VV-ja. Ai tha se praktika të tilla për të pyetur jashtë rendit të ditës ka qenë çdo herë.
Kryesuesi i KQZ-së, nuk dha shumë detaje për gjendjen në veri. Tha se për këtë kanë biseduar në mbledhjen e mbajtur të martën.
“KQZ mbrëmë ka mbajtur mbledhje dhe e kemi thënë aty dhe po besoj se është dashur ta shikoni atë mbledhje. Në Këtë mbledhje nuk kam çfarë të them dhe mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen. Për çështje tjera nuk kam çfarë të shtoj”, tha Radoniqi. Burim Ahmetaj nga KQZ-ja, tha se operimi i tyre në atë pjesë ka qenë i vështirë, raporton EO.
“Kemi has në pengesa direkte dhe është dashur të tërhiqemi. Në Leposaviq dhe Zveçan janë dëgjuar alarme dhe të shtëna”, tha ai, teksa shtoi se operimi i tyre është bërë nga zyrat në jug të Mitrovicës.
Nga AAK-ja, Besnik Tahiri tha se pajtohen me raportin Vjetor Financiar për vitin 2021, por që kërkoi vigjilencë për zgjedhjet në veri. Kërkoi që kjo çështje të trajtohet me përgjegjësi të plotë.