Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ka vazhduar me avazin e partisë së tij, por edhe të shtetit serb, që t’u bëjë presion serbëve të Kosovës të mos dalin nesër në zgjedhjet në katër komunat në veri.
Radojiçiq, sipas një postimi në faqen e Listës Serbe në Facebook, ka kërkuar që serbët e veriut të Kosovës nesër duhet t’u tregojnë të gjithëve “se kanë një shtet, Serbinë, një flamur me të cilin krenohen dhe se i drejtohen një presidenti dhe komandanti suprem, Aleksandar Vuçiqit”.
Në reagim, Radojiçiqi që është në listën e zezë të SHBA-së, ka folur për pjesëmarrjen e tij dhe kolegëve të tij të partisë në prezantimin e arsenalit ushtarak të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së sotme, për çka pati reagime nga krerët e shtetit të Kosovës.
“Ne e dimë shumë mirë se forca jonë ushtarake dhe harmonia jonë, makineritë tona, Llazari ynë dhe Milloshi ynë i lëndojnë ata dhe prandaj na sulmojnë frikacakisht”, tha më tej nënkryetari i LS-së.
Ai tha se nuk do t’u përgjigjet këtyre deklarimeve, pasi siç u shpreh ai, ato “meritojnë përbuzje”, siç meritojnë “zgjedhjet e rreme, jodemokratike që duan t’i zhvillojnë me dhunë nesër në veri”.
Prandaj, tha Radojiçiq, “i bëj thirrje bashkatdhetarëve të mi nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku që nesër të jenë dinjitozë, të bashkuar dhe të vendosur për të ruajtur paqen, të mos bien në provokime, dhe përgjigja jonë do të jetë e fuqishme dhe disfatë për djallin – bojkot i përgjithshëm i zgjedhjeve të rreme sepse ato nuk ekzistojnë për asnjë serb të nderuar me emër dhe mbiemër serb”.
Në fund, nënkryetari i Listës Serbe të dirigjuar nga presidenti serb Vuçiq, tha se “ne nuk po kërcënojmë askënd”, por shtoi se as “nuk po heqim dorë nga lufta për të drejtat e serbëve dhe për një të nesërme më të mirë”.
Kujtojmë se nesër mbahen zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri të vendit. Lista Serbe nuk ka aplikuar fare për pjesëmarrje në këto zgjedhje, ndërsa Partia e Serbëve të Kosovës, e drejtuar nga Alleksandar Jabllanoviq, ndonëse ishte certifikuar nga KQZ-ja, vendosi të tërhiqet nga gara.
Aktualisht vetëm një kandidat serb do të jetë pjesë e kësaj gare zgjedhore, përveç partive shqiptare.