Qytetarët duan parat e trustit: Kuvendi të miratojë sa më parë Ligjin

E publikuar: 16/08/2020 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, me ç’rast do të mundësohej tërheqja deri në 10 për qind e kursimeve në Trustin Pensional, përcjell Infosot.

E kjo ka mllefosur qytetarët të cilët thonë se mezi po presin që t’u mundësohet tërheqja e mjeteve në këtë krizë të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Në një anketim të realizuar nga KosovaPress shumica e qytetarëve shprehen pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Haki Krasniqi njëri nga qytetarët mendon se popullit duhet t’i dilet në ndihmë sadopak nga dikush, pasi që vlerëson se gjendja ekonomike është e rënduar.

“Mendoj që është mirë se populli është qaq në krizë që menzi po presin sado pak një ndihmë prej kujna do qoftë se ato pare janë të tyne, me përkrah e përkrahi. Ka pas nevojë moti që të miratohet ligji dhe populli t’i marrë ato para. Vetëm unë sa njoh njerëz që janë duke i pritë me padurim”, tha Krasniqi.

Qytetari Ismet Pacolli thotë se tërheqja e një pjese të mjeteve të trustit është ide e mirë, pasi që do të zbuste sadopak gjendjen ekonomike.

“E përkrahi, po nëse e miraton kuvendi kish me qenë mirë se është edhe ndihmes në këtë krizë pandemike” tha Pacolli.

Xhevdet Kumnova mendon se gjendja e krijuar është emergjente dhe në raste të tilla qytetarët kanë shumë nevojë për të holla të cilat do të ndihmonin sado pak në përmirësimin e gjendjes ekonomike.

“Njerëzit kanë nevojë për të holla, gjendje emergjente tash nuk po di masi nuk jam edhe vet kompetent nuk di edhe çka me shtua. 90% e popullatës kanë nevoje për të holla faktikisht mirë kish me qenë”, deklaroi Kumnova.

Ndërsa qytetari tjetër Sabri Hasani i ardhur nga Zvicra thotë se në Kosovë nga trusti mund të përfitojnë vetëm kompanitë e mëdha. Ai bën një krahasim të gjendjes së trustit në Kosovë me atë në Zvicër.

“Ajo është sasi shumë e vogël tash sa ka llogari mi nxerr 100 ose 105, 110 euro nuk e di sa mundet mi ndihmua, mirëpo sa është qëllimi për kompanitë e mëdha që kanë profit shumë atëherë me siguri atyre mundet me ju ndihmu në bazë të situatës momentale ma merr mendja që ideja është e mirë por duhet me shiqu kush sa mundet dhe kush sa ka mundësi mi tërheq. Në Zvicër p.sh. çdo gjë që e ki në trust hecin paret në qoftë se i kam pas një sasi të parave vitin e ardhshëm është më i madh, unë e di vllaun e kom këtu edhe këtu zbresin të hollat”, u shpreh ai

Të premten Kuvendi dështoi të miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ndërsa ministrja Hykmete Bajrami tha se do të provojë përsëri të marrë votat e deputetëve për këtë ligj./kp