Qytetarët druajnë nga terrorizmi në Kosovë

E publikuar: 19/11/2015 10:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e Kosovës, gjykuar sipas rezultatit të sondazhit të Koha.net, druajnë nga aktet eventuale terroriste në vend.

Nga 13.084 pjesëmarrës në sondazhin me pyetjen “A ka rrezik nga sulmet terroriste në Kosovë?”, 6597 sish, ose 50.4 për qind e tyre u përgjigjen pozitivisht, pra me “Po”.

Përgjigje negative, pra që nuk shohin ndonjë rrezik nga sulmet terroriste, dhanë 5572 pjesëmarrës të sondazhit, ose 42.6 për qind e numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve, ndërsa 915, ose 7 për qind nuk e dinë nëse ka a s’ka rrezik sulmesh terroriste në Kosovë.

Pyetja e sondazhit nuk specifikonte se për çfarë terrorizmi bëhet fjalë, duke pasur para sysh terrorizmin e ekstremistëve islamikë jo vetëm në vendet e origjinës, por edhe gjithandej në Europë e SHBA.

Sipas matjeve të Global Peace Index, terrorizmi në botë gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje me 80 për qind në krahasim me vitin 2013. Kosova, nga lista e 162 vendeve të përfshira në klasifikimin e ekspozimit nga rreziku i terrorizmit, vjet ishte e 62-ta, ndërsa më 2013 në vendin e 51-të, që flet për një përmirësim të situatës.

Pasqyra e rrezikut nga terrorizmi në rajon duket kështu: Turqia 27, Greqia 29, Kosova 62 ( më 2013 – 51), Maqedonia 73, Shqipëria 78 (më 2013 – 109), Mali i Zi 103, dhe Serbia në vendin e 106-të rrezikshmërisë.

Me rrezikun më të lartë të ekspozimit ndaj terrorizmit janë: Iraku në vendin 1, Afganistani 2, Nigeria 3, Pakistani 4, dhe Siria në vendin e 5-të.