
Qytetarët e Kosovës sot i janë bashkuar bojkotit rajonal të supermarketeve, duke kundërshtuar çmimet e larta të produkteve bazë që po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme, raporton Ekonomia Online.
Ata thonë se kjo iniciativë është e domosdoshme për të reaguar ndaj mungesës së kontrollit mbi tregun dhe neglizhencës së institucioneve për të mbrojtur konsumatorët.
Adem Krasniqi thekson se bojkotimi i supermarketeve është një hap i nevojshëm për të treguar pakënaqësinë ndaj situatës ekonomike.
Ai shtoi se është për t’u çuditur se si në marketet e ndryshme çmimet nuk janë të njëjta, duke bërë thirrje që të ketë inspektime nga shteti.
“Marketet duhet që të bojkotohen krejt nga qytetarët. Pse? A jeni duke parë se në çfarë kushte jemi duke jetuar. Po të rriten rrogat, ndihmohet populli, ndihmohet shkollimi, do të kisha thënë. Po këta janë duke punuar vetëm për interesa të veta personale. Për këtë duhet bojkotuar. Edhe një është kryesore: në marketet çmimet nuk janë të njëjta. Kjo po më brengos. Si në marketet, si në barnatore, si në të gjitha, si është puna e tyre?! A ka inspektime, a ka njerëz, a ka shtet, a ka ligj? Shko në perëndim, krejt çmimet janë të njëjta. Për këtë besoj që duhet m’i marrë do masa shkaku i popullit. Krejt në kurriz tonë shkon ky favorizim, duhet që të na përkrah shteti edhe ne do ta përkrahim shtetin. Më shumë po kanë këta nëpër rrugë që po lypin se ne”, shprehet ai.
Edhe Idriz Ahmetaj e mbështet bojkotin, duke e konsideruar një reagim të domosdoshëm ndaj realitetit të vështirë ekonomik.
“Shumë e arsyeshme është, mirë kanë bërë që e kanë organizuar, e nevojshme është. Duhet që të bojkotohet gjithsesi, duhet sepse kushtet e vështira të jetesës “, ka thënë ai
Bojkoti, i organizuar nga iniciativa “Kosova bojkoton”, po zhvillohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, më 15 mars.
Kosova kështu i është bashkuar vendeve të rajonit, si Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Greqia, në një përpjekje të përbashkët për të adresuar problemin e çmimeve të larta. Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që institucionet të marrin masa konkrete për të vendosur rregull në treg dhe për të mbrojtur fuqinë blerëse të popullit.