Qysh kane veprue shpijunat e Serbise ne Kosove. A ka qene Dejan Kompirovic kryeshpijuni?…

E publikuar: 10/08/2015 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shërbimi Sekret Serb (BIA) asht përgjegjës për shumë vrasje në Kosovë si dhe për të gjitha shpërthimet që kanë ndodhe në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, si dhe për sulme mbi pjesëtarët e KFOR dhe EULEX.

Keshtu pohon burimi konfidencial i portalit tesheshi.com, me kusht të anonimitetit.

Simbas burimit, të gjitha veprimet e strukturave paralele të Serbisë kundër institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, KFOR-EULEX, në veri, janë urdhnue dhe komandue nga Dejan Kompirovic, shefi i BIA për veriun e Kosovës.

“Kompirovic përmes shpijunave të BIA që kanë operue në veri të Kosovës, ka urdhnue vendosjen e barrikadave në rrugë e veriut të Kosovës, gjatë vitit 2011”, ka thanë burimi dhe ka shtue edhe nji detaj, simbas të cilit, Kompirovic ka zyrën në katin e tretë të Stacionit të Policisë në qytetin e Kralevës, në Serbi.

“BIA i ka koordinue dhe i ka urdhnue të gjitha veprimet që janë marrë nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, deri në arritjen e marrëveshjes së Brukselit për inkorporimin e MUP në Policinë e Kosovës, sepse ata kanë veprue ilegalisht”, ka saktësue burimi.

“Mbas arritjes së marrëveshjes, agjentat e BIA tashma janë legalizue dhe operojnë nën uniformën e policisë së Kosovë të papenguem nga askush”, shton ma tej burimi i portalit tesheshi.com.

“BIA i ka pase aktivistat e vet në çdo pjesë të veriut të Kosovës, e sidomos i ka shfrytëzue strukturat e Policisë së Serbisë që kanë veprue në veriun e Kosovës për me mbledhe informacion si për shqiptarë, institucionet e Kosovës, por edhe për forcat ndërkombëtare si KFOR dhe EULEX, por edhe për persona të tjetër me randësi që kanë veprue në Kosovë si ndërkombëtarë”.

Burimi i portalit tesheshi.com, ka demaskue edhe punën e agjentave sekret të Serbisë, mënyrën si kanë veprue dhe ku i kanë pase takimet me kreun e BIA, si dhe ku i kanë mbajte ato në Kosovë.

“Agjentat e BIA që operojnë në veri të Mitrovicës, të gjitha informacionet i kanë dërgue me letër, CD apo USB në qytetin e Kralevës në Serbi, tue ja dorëzue në dorë personalisht shefit të tyne, Kompirovic. Asgja nuk asht ba me emali, telefon apo SMS”, ka thane burimi.
“Shefi i BIA për veriun e Kosovës, Dragan Kompirovic, asnjiherë nuk ka takue agjentat e tij në grup në Kralevë, por gjithmonë nji nga nji”.

Si kallxon burimi, takimi i kreut të BIA me agjentat e tij ka ndodhe çdo t’Ejte në restorantin “Lepa Bora’ në Kralevë, i cili gjendet në rrugën “Viktimat e tetorit”, Nr. 15”.
“Ky restoran asht djeg në vitin 2012, nuk dihen arsyet, sepse policia e qytetit të Kralevës të Serbisë asnjiherë nuk ka dalë me informacion mbi arsyet e djegjes së këtij lokali, i cili shumë shpejt asht rinovue. Agjentat kryesor të BIA në 4 qytetet në veri të Kosovës, pra në veri të Mitrovicës, Leposavic, Zubin Potok e Zvecan, janë: Z. M, Z.N, S.M, SM, G.Zh”, emna të cilët janë të njoftun për redaksinë e portalit tesheshi.com.

Krenat e BIA për veriun e Kosovës strehë të tyne e kanë pas objektin e Shtëpisë së Pleqve që gjendet në mes të fshatrave Grabofcë dhe Serbofcë të Komunës së Zveçanit”, ka thanë burimi.
Mbas përpunimit të informacioneve që kreu i BIA Kompirovic i merrte çdo t’Ejte nga agjentat e tij në kafeterinë ‘Lepa Bora’, kallxon burimi, urdhnat për veprime të tjera jau ka prue në Shtëpinë e Pleqve, zavendësshefi i BIA për veriun e Kosovës, Sinisa Andric.
“BIA me 27 Korrik e ka dite me emën dhe mbiemën vrasësin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberit, që nga ajo kohë ky kriminel jeton në qytetin e Obrenovcit të Serbisë, nën mbrojtjen e agjentave BIA”, ka thanë burimi.

Burimi ka shtue se vrasja e fundit që pjesëtarët e BIA e kanë kryer në veri të Mitrovicës dhe Kosovës ka ndodhe në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në Nandor të vitit 2013.

“BIA asht përgjegjëse për vrasjen e fundit që e ka krye në Kosovë, atë të Dimitrije Janicievic, i cili u vra në oborrin e shtëpi së tij, e që besohet se ka qenë dëshmitari kryesor në gjykimin kundër Oliver Ivanovic”, ka thanë burimi i portalit tesheshi.com.

“Tashma në veri të Kosovës, BIA nuk ka nevojë me veprue ilegalisht, sepse agjentat e saj janë legalizue dhe veprojnë nën ombrellën e Policisë së Kosovës të papenguem nga askush”, ka thanë burimi.

Zyrtarë të policisë së Kosovës në Mitrovicë nuk kanë dasht me i komentue këto informacione. (tesheshi.com)