Qumështarët protestojnë sot në shenjë pakënaqësie me gjendjen në këtë sektor

E publikuar: 15/06/2015 08:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qumështarët kosovarë protestojnë sot në shenjë pakënaqësie me gjendjen në këtë sektor.

Shoqata e prodhuesve të qumështit me mbështetje edhe të shoqatës së përpunuesve, kanë planifikuar që në shenjë protestë sot të bllokojnë disa akse rrugore.

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit nuk janë të kënaqur m gjendjen që mbretëron në këtë sektor. Drejtues të dy shoqatave të qumështarëve, përmes një letre drejtuar kryeministrit Isa Mustafa kohë më parë kanë kërkuar që të shqyrtohet me seriozitet gjendja e krijuar, sidomos nga importi i produkteve të dyshimta.
“Në Kosovë industria e prodhimit dhe përpunimit të qumështit ka krijuar 40 mijë vende të punës dhe ka siguruar produkte të shëndosha, të sigurta dhe të prodhuara pa aditivë të ndryshëm siç është yndyra bimore. Këto vende pune janë krijuar me djersë dhe përkushtim. Fatkeqësisht, këto vende pune janë të rrezikuara pasi vendet e ndryshme sulmojnë tregun tonë me produkte të dampuara, me produkte të cilësisë së dyshimtë dhe përmbajtje të vajrave bimore sikur ai i palmës”, thuhet në këtë letër drejtuar kryeministrit.
Sipas drejtuesve të shoqatës, mbi 70 për qind të “djathërave” dhe një pjesë e “qumështit” që importohen dhe shiten në Kosovë kanë deklarim të rrejshëm ose nuk prodhohen nga qumështi?
Vitin e kaluar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kishte marrë vendim për ndalimin e një numri të madh të produkteve. Mirëpo, sipas qumështarëve, ai vendim nuk zbatohet. Mungesa e zbatimit të masave ligjore në mbrojtje të produkteve vendore rrezikon seriozisht 40 mijë vende pune në Kosovë, thuhet në letrën drejtuar kryeministrit.
Por këto kërkesa nuk janë marrë parasysh, prandaj prodhuesit dhe përpunuesit me traktorë, mjete bujqësore dhe kafshë kanë planifikuar që sot t’i bllokojnë rrugët që lidhin pikat doganore në gjithë Kosovën.