Në prag të ceremonisë së betimit të 4 kryetarëve të zgjedhur në komunat veriore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuara kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.
Në këtë deklaratë të QUINT-it, bëhet thirrje që të mos ketë veprime të përdorimit të forcës që do të rrisnin tensionet në veri. Gjithashtu, në deklaratë thuhet se nuk është e domosdoshme që kryetarët të betohen në hapësirat komunale.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin kompetencave që janë më shumë se administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale”, thuhet në deklaratë, raporton Gazeta Express.
“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet tutje.
Pas zgjedhjeve të 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb, QUINT-i i bënë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku.
“…përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna”, theksohet në dekalratë.
Tutje QUINT-i shpreh mbështetjen për dialogun në BE mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që të krijohet Aspciacioni i Komunave me shumicë serbe, që po diskutohet në këtë kuadër.
“Ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në fund.