Qualcomm prezantoi Snapdragon 845 me teknologji të reja të inteligjencës artificiale

E publikuar: 08/12/2017 04:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e Mërkure Qualcomm prezantoi procesorin e ri Snapdragon 845 me opsione të reja sigurie dhe jetëgjatësi më të lartë baterie.

Ky çip pritet të jetë në zemër të shumë flagshipëve Android vitin e ardhshëm që nga Samsung tek Sony dhe LG.

Është kjo industri e cila po bëhet dita ditës më e rëndësishme për Qualcomm dhe financat e kompanisë ndërsa biznesi i saj i licencimit të patentave është nën një shi kritikash dhe akuzash jo vetëm nga institucionet shtetërore por së fundi edhe nga kompani si Apple.

Çipi më i fundit i kompanisë sjell me vete një mori përmirësimesh me të cilat mund ti hyjë botës së re të inteligjencës artificiale duke kryer detyra si njohja dhe kategorizimi i imazheve.

Për herë të parë procesori i ri Snapdragon ka një procesor të dytë fizik më vete quajtur “Secure Processing Unit” për ruajtjen e informacioneve si shenjat e gishtërinjve dhe skanimet e irisit të syrit, ngjashëm me teknologjinë Face ID në Apple iPhone.

Më përpara procesorët Qualcomm kishin një “zonë të besuar” e cila nuk ishte e ndarë fizikisht me pjesën tjetër të procesorit.

Kompania ka bërë hapa përpara edhe në aspekte të tjera për të plotësuar nevojat e aplikacioneve që shfrytëzojnë inteligjencën artificiale.

Konkretisht çipi do të sigurohet që një prekje aksidentale në ekran e përdoruesit të mos merret si një komandë.

Procesori i ri Snapdragon ka edhe disa funksione për pajisjet e realitetit virtual dhe të shtuar. Një prej tyre quhet “Adreno foveation.” Ky funksion do të ulë rezolucionin në skajet e ekranit ndërsa pjesa qendrore e tij ofron imazhe më të mprehta ashtu siç ndodh me vizionin njerëzor.

Përtej eksperiencës, kjo teknikë do të kursejë bateri. Qualcomm nuk ofron të dhëna të të ardhurave të gjeneruara nga procesorët Snapdragon por janë padyshim të rëndësishëm dhe jo më kot gjendet nën sulm nga Apple.

Qualcomm gjithashtu përballet me një ofertë blerjeje 103 miliard dollarëshe nga Broadcom, e cila më shumë se e tillë ngjan me një pushtim. /PCWorld Albanian