QKUK: Vizitat rutinore në Klinikën Infektive rrisin rrezikun, këta persona duhet të paraqiten për testim

E publikuar: 12/03/2020 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se ka fluks të shtuar të vizitave të Klinikës Infektive për vizita rutinore me frikën nga infeksioni eventual me koronavirus.

QKUK njofton se rastet të cilat duhet të paraqiten në Klinikën Infektive janë rastet që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura nga koronavirusi dhe ata të cilët kanë simptoma temperaturë të lartë, kollë të thatë, probleme me frymëmarrje apo qytearët që kanë pas kontakt me persona që janë të konfirmuar me infeksion me virusin Covid 19, shkruan lajmi.net.

Përndryshe, QKUK rekomandon se personat që kanë dyshime për sëmundjen dhe nuk kanë simptoma duhet të vetëizolohen sipas këshillave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ky është reagimi i QKUK-së:

Qytetarët kanë filluar me një fluks të shtuar të vizitojnë ambientet e Klinikës Infektive në QKUK për vizita rutinore dhe testim lidhur me frikën nga infeksioni eventual, kjo përbën një rrezik shtesë për përhapjen eventuale të sëmundjes.

Deri më sot nuk kemi rast të konfirmuar me virusin Covid 19 në Kosovë, rastet që duhet paraqitur për testim dhe izolim eventual jane ato raste që kanë udhëtuar nga rajonet, ku sëmundja është përhapur dhe kanë simptoma me temperaturë të lartë, kollë të thatë, probleme me frymëmarrje apo qytearët që kanë pas kontakt me persona që janë të konfirmuar me infeksion me virusin Covid 19.

Përndryshe, personat që kanë dyshime për sëmundjen dhe nuk kanë simptoma duhet të vetëizolohen sipas këshillave nga OBSH dhe instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

I sigurojmë personelin shëndetësor dhe qytetarët se Klinika Infektive, reparti i izolimit është pajisur me maska mbrojtëse, syze dhe mjete të tjera për mbrojtje kundër Covid-19, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.