Është kryer autopsia e tre personave që u zhvarrosën të enjten në lidhje me vdekjet e dyshimta të javës së kaluar në QKUK.
Kjo është konfirmuar nga drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili ka bërë të ditur se tashmë janë duke përfunduar analizat toksikologjike dhe hispatologjike.
“Në rastet kur nuk bëhet autopsia menjëherë në ditën e vdekjes dhe lejohet të varroset e dimë që stadi i kalbëzimit relativisht mundet të na destabilizojë gjendjen, por do të shohim çfarë mund të bëhet dhe do t’i propozojë Prokurorisë”, ka thënë ai për gazetën“Zëri”.
Ndërsa prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka thënë se ende është herët për t’i ditur shkaktarët e vdekjes së këtyre personave.
Ai shtoi se do ta presin edhe përfundimin dhe analizat tjera dhe pastaj do të dalin me një raport.

















