SBASHK-u e quan fitore të madhe njohjen e viteve të punës të mësimdhënësve që punuan në periudhën 1989-1999.
Qeveria e Kosovës njoftoi sot se do t’ua njohë punën e kryer mësimdhënësve të sistemit arsimor që veprimtarinë e zhvillonte nëpër shtëpi në vitet 1989-1999.
“Aplikimi për këtë të drejtë, të njohur edhe me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, do të fillojë dhe do të njihet menjëherë për të gjithë punonjësit e arsimit në atë periudhë të rëndësishme historike për popullin e Kosovës dhe për arsimin në Kosovë,” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Kjo marrëveshje sipas njoftimit është arritur gjatë një takimi mes ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në koordinim të plotë me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut.