Ka hyrë në javën e dytë greva e më shumë se 200 gjyqtarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës. Ata janë të bindur në kërkesat e tyre, për 25 për qind rritje, nga e cila u përjashtuan vitin e kaluar ose në rastin tjetër, të marrin 200 euro shtesë në emër të rrezikshmërisë.
Të vetëdijshëm me pasojat që ka kjo grevë për sistemin e drejtësisë, gjyqtarët thonë se kjo ka qenë rruga e fundit për të kërkuar kushte më të mira. Grevistët tregojnë se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria në përgjithësi janë treguar neglizhente në raport me kërkesat, raporton KTV.
Por, zëdhënësi i Qeverisë i ka thënë KTV-së se gjasat që kërkesat e tyre të plotësohen janë të vogla për shkak të buxhetit të kufizuar.
E KGJK-ja mblidhet të mërkurën për të diskutuar për këtë çështje, transmeton Koha.net.
Palët që kanë punë në Gjykatë, megjithëse i vlerësojnë të arsyeshme kërkesat e gjykatësve, tregojnë për vështirësitë që po krijohen. Vetëm në Gjykatën Themelore të Mitrovicës janë anuluar 91 raste të shqyrtimeve gjyqësore për shkak të grevës.
Ndërkaq, bordi i Shoqatës së Gjykatësve të Kosovës i ka dhënë përkrahje grevës së gjykatësve, duke i vlerësuar kërkesat e tyre të bazuara.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur bordi i kësaj shoqate që mbron të drejtat e gjykatësve, ka kërkuar nga organet kompetente që të reflektojnë sepse mund të paralizohet një nga tre pushtetet shtetërore, transmeton Koha.net.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme për të kontaktuar me Ministrinë e Financave dhe atë të Drejtësisë, ata nuk kanë qenë të gatshëm dhe në disponim për takim”, thuhet në një njoftim të Shoqatës së Gjykatësve të Kosovës.
/KOHA.net/