Analistët politik i kanë tërhequr vërejtjen qeverisë së vendit që të jetë syqelë me krijimin e Asociacionit të komunave serbe
Pas kërkesës së kryetarëve të komunave me shumicë serbe drejtuar qeverisë në Prishtinë dhe asaj në Beograd që të përshpejtojnë në procesin e krijimit të Asociacionit të komunave serbe, analistët politik i kanë tërhequr vërejtjen qeverisë së vendit që të jetë syqelë në këtë drejtim.
Ata konsiderojnë se Kosova duhet të jetë e kujdesshëm në atë se çfarë negocion me palën serbe për krijimin e këtij asociacioni.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti ka thënë për Radio Kosovën se dhënia e kompetencave ekzekutive këtij asociacioni do të kuptonte krijimin e një entiteti shtetëror.
“Dhënia e kompetencave ekzekutive do të ndryshonte strukturën dhe formën e sistemit juridik në Kosovë që do të ishte i ndryshëm nga ai çfarë është i paraparë me kushtetutë dhe kjo do të sillte edhe probleme të tjera”, tha Hoti.
Ndërsa, analisti Jetmir Bakija nga KDI-ja i ka thënë Radio Kosovës se çfarëdo kompetence tjetër që del jashtë rendit kushtetues do të ishte një dëm i madh për vendin.
“Nëse negociohet një asociacion që është jashtë rendit kushtetues dhe i jepen disa përgjegjësi këtij asociacioni që janë të ndjeshme dhe mund të jenë bllokuese për nivelet qendrore atëherë ne po flasim për një strukturë që do të jetë e dëmshme për Kosovën”, shprehet Bakija.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta gjithë popullore pas 25 gushtit, për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Kundër asociacionit janë shprehur edhe dy partitë tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën./RTK