Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media ka thënë se mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.
“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, transmeton Republika.info.
Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sqaron kryeministria se marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese. /Republika.info