Brenda nëntorit të këtij viti Qeveria e Kosovës do t’i nxjerrë në ankand një numër të madh veturash si pjesë e vendimit për ulje të numrit të veturave në përdorim. Data e caktuar është 6 nëntori 2015.
Zëdhënësi i Qeverisë Arban Abrashi në një prononcim për Gazetën Express ka bërë të ditur se të gjitha veturat kanë qenë në pronësi të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Të gjitha veturat kanë qenë në pronësi me institucionet e Republikës së Kosovës dhe proceduara është zhvilluar konform vendimit të Qeverisë dhe Ligjit për prokurim publik”, ka thënë Abrashi.
Ndërsa sa i përket çmimit fillestar secili institucion veç e veç i ka dërguar në Ministrin e Administratës Publike. Çmimet bazë ndryshojnë sipas llojit të veturës dhe vitit të prodhimit, p.sh. një Golf 2 1.6 disel shitet me çmim fillestar prej 150 Euro.
Edhe në MAP i kanë thënë për Express se veturat kane qene ne pronësi te të gjitha institucioneve te Kosovës. Derisa kanë treguar se çmimet e tyre i caktojnë vetë institucionet. Ata po ashtu kanë bërë të ditur se vlera totale e krejt këtyre veturave është mbi 145 mijë euro.
Këtë e ka konfirmuar edhe Abran Abrashi i cili tha se vlera fillestare e vlerësuar e te gjitha veturave ( 177 cope ) është 145,632.87 €.