Qeveria pro shtrenjtimit të rrymës, por thotë se i ka kërkuar ZRRE’së të jetë më e ulët se 15 për qind

E publikuar: 28/03/2025 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Ekonomisë ka bërë me dije se në komentet që ia ka dërguar ZRRE’së për tarifat e energjisë elektrike, ka kërkuar që niveli i propozuar për rritje prej 15 përqind, të jetë më i ulët.

“Komentet dhe sugjerimet tona drejtuar ZRrE-së në konsultim publik përqendrohen kryesisht në dy drejtime: mënyrat se si mund të ulet niveli i propozuar i rritjes; dhe shpërndarja e barrës së rritjes brenda grupeve të konsumatorëve” thuhet në njoftim.

Qeveria ndërkaq ka thënë se është e drejtë që rritja e tarifave të mos prekë familjet që konsumojnë më pak se 800 kWh, por, “duke u zgjeruar gjithashtu numri i blloqeve të konsumit mbi 800 kWh”.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës është diskutuar me të madhe këto ditë. Presidentja Osmani ka kundërshtuar rritjen e tarifave ndërsa shoqëria civile ka thënë se do të protestojë ndaj çfarëdo rritjeje.

Ministria theksoi disa faktorë që kanë kontribuar në stabilizimin e tarifave, përkundër presionit të tregut, siç është: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka rritur çmimet e shitjes së energjisë elektrike, dhe prodhimi i saj u rrit me 7% në vitin 2024: Nga viti 2022 deri në vitin 2024, importi i energjisë elektrike është zvogëluar me 3.3% mesatarisht, ndërsa nga viti 2017 deri më 2021 kishte një rritje mesatare vjetore prej 18.1% dhe: Rritja e konsumit familjar, që mes viteve 2017-2021 ishte 7.2% në vit, ka rënë në vetëm 0.2% mesatarisht falë investimeve në efiçiencë dhe rikthimit të bllok-tarifës.

Megjithatë, Ministria paralajmëron se disa faktorë vazhdojnë të paraqesin sfida për sistemin elektroenergjetik të vendit, siç janë Rritja e çmimit të importit dhe Rehabilitimi i TC Kosova B.

Ministria e Ekonomisë nënvizon se përveç rehabilitimit të TC Kosova B, investimet në energji përfshijnë zgjerimin e kapaciteteve gjeneruese nga era dhe dielli, instalimin e baterive për ruajtjen e energjisë, si dhe zhvillimin e sistemeve të reja të ngrohjes qendrore në disa qytete.

Tutje në komunikatë theksohet se Qeveria, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka investuar mbi 35 milionë euro në projekte për rritjen e efiçiencës së energjisë, duke synuar reduktimin e varësisë nga importi dhe uljen e ndotjes së ajrit.