Edhe pse kanë kaluar dy javë nga vërshimet vdekjeprurëse që goditën disa zona të Shkupit, gjendje vazhdon të jetë e rëndë pasi shumë familje nuk do të munden edhe për një kohë të gjatë të kthehen në shtëpitë e tyre të përmbytura.
Gjatë kësaj periudhe, fshatrat Hasanbeg, Straçinë, Stajkovcë dhe vendbanime të tjera janë ndihmuar nga institucionet dhe ekipe të shumta vullnetarësh, por gjendja vështirë të normalizohet për shkak të sasive të mëdha të ujit dhe baltës që kanë depërtuar nëpër objektet e banimit, shumë prej të cilave edhe janë shembur. Veç kësaj, ekziston frika e paraqitjes së ndonjë sëmundjeje infektuese pasi ka shtëpi që ende nuk janë dezinfektuar tërësisht.
Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se po punojnë intensivisht për normalizimin e gjendjes, ndërsa premtojmë nisjen e procedurave për kompensimin e dëmeve.
“Unë pres që deri të martën e javës së ardhshme të bëhet pagesa prej 30 mijë denarësh (500 euro) për të gjitha familjet e goditura. Bëhet fjalë për një ndihmë fillestare në formë të paradhënies”.
“Vendimi tjetër i Qeverisë ka të bëjë me propozimin që tani e kemi dërguar në Kuvend për rishikimin e buxhetit. Ne kërkojmë që të miratohen rreth 2 miliardë denarë apo diku afër 34 milionë euro, para këto me të cilat planifikojmë të kompensojmë të gjitha dëmet për familjet e goditura në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Emil Dimitriev.
Por, banorët nuk janë edhe aq optimistë nga premtimet e Qeverisë. Ata thonë se premtime të tilla ka pasur edhe për banorët e Tetovës, por edhe një vit nga vërshimet, banorët e asaj zone, po përballen me probleme për shkak të mungesës së fondeve.
Samet Islami, banor i fshatit Hasanbeg, thotë se një komision qeveritar ka vizituar pronën e tij për të bërë vlerësimin e dëmit.
“Ata ishin dhe morën shënime aq sa mundëm se nuk mundet të evidentohen të gjitha. Kemi humbur gjithçka, si ai që ka pasur më shumë, si tjetri që ka pasur më pak. Premtimet janë të mëdha, por unë nuk e di ende Tetova a ka marrë diçka. Nuk besoj se do të kompensojnë 100 për qind, por shumë më dobët”, thotë Sameti.
Një tjetër banor thotë se pa ndihmën e institucioneve vështirë se do të ngrihen në këmbë.
“Po premtojnë, por çka dhe si do të japim, një Zot e di. Nëse na ndihmojnë faleminderit, nëse nuk ka ndihmojnë sërish faleminderit. Çfarë të themi tjetër. Nëse nuk na ndihmojnë, me vite nuk do të mund t’i kompensojmë dëmet. Kemi përjetuar tmerre të papara deri më tani. Viktima në njerëz dhe dëme të shumta. E gjithë ajo çfarë kemi punuar gjatë tërë jetës, është shkatërruar brenda një nate”, thotë Tomisllav Mlladenovski, banor i fshatit Stajkovcë.
Ndërsa, një tjetër banor thotë se dëmet janë aq të mëdha saqë jeta normale nuk beson se do të kthehet para dy tre vjetëve.
“Asnjëherë nuk do të mund ta kthejmë jetën e mëparshme. Më së paku do të na duhet dy-tre vjet për të normalizuar jetën. Ishte një katastrofë e vërtetë, humbëm njerëz dhe gjithë pasurinë. Nuk dimë nga t’ia mbajmë, shpresojmë se do të na ndihmojmë për t’i kthyer kushtet më elementare për jetë”, thotë Jovica Stojanovski, banor në Stajkovcë.
Vërshimet kanë dëmtuar rëndë edhe shtëpinë e Bujar Ramiut nga fshati Hasanbeg. Ai me familjen, tashmë po jeton te të afërmit, me shpresë që institucionet do t’i dalin në ndihmë për ngritjen e një shtëpie të re.
“Ata vlerësuan se kjo shtëpi duhet të prishet krejtësisht. Evidentuan të gjitha dëmet që janë bërë, pasi edhe unë kisha mbajtur shënime. Na thanë se është në rregull dhe se këto të dhëna tani i dorëzojnë në Qeveri”, tregon Bujari.
Nga vërshimet e mbrëmjes së 6 gushtit që përfshinë fshatrat e Shkupit, janë goditur rreth 5 mijë familje, 22 persona e kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjetër janë lënduar.
Një foshnje16 muajsh rezulton e zhdukur. Për gjetjen e trupit të saj janë angazhuar institucione e vullnetarë të shumtë, por deri më tani përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.