Qeveria me plan aksionar për adresimin e sfidave të Raportit të Progresit

E publikuar: 23/04/2018 09:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës sot është miratuar shqyrtimi i planit aksionar për adresimin e sfidave të Raportit të Progresit.

Në këtë mbledhje, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka deklaruar se publikimi i raportuar ka adresuar të gjeturat në fushat përkatëse, transmeton Indeksonline.

“Ajo që kam kërkuar nga kolegët është t’i gjejnë sfidat dhe problemet e pastaj t’i kthejmë në punë. Nuk i takon vetëm një ministrie por të gjitha ministrive përkatëse. Për këtë kemi bërë planin aksional për sfidat që janë gjetur”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka thënë se në javën tjetër do të mbahet mbledhja e Këshillit Ministror ku sipas saj në atë mbledhje do të adresohen sfidat që i përkasin ministrive.

“Kjo në mënyrë që pas qershorit, pas pushimeve verore të jetë më lehtë për Raportin e Progresit”, ka thënë ajo.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka propozuar që të takohen një ditë dhe të bisedojnë për sfidat.

“Duhet të bashkohemi ose në Prishtinë ose diku tjetër që të diskutojmë për sfidat. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë”, ka thënë Yagcliar.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxha me këtë rast ka deklaruar se ky plan është i duhur dhe duhet bashkëpunim mes të gjithë akterëve politikë.

“Kroacia është shembull i mirë se si ka ndodhur bashkëpunimi mes Qeverisë dhe partive opozitare. Duhet ta gjejmë një modalitet se si të përfshihemi si Kosovë. Këtë duhet ta bëjë këshilli ndërministror, të na sjell modele të ndryshme që pas dy vitesh ta kem një qasje se si ta adresojmë këtë sfidë. Në këshillin për stabilizim asocimi duhet ta ngjisim këtë çështje. Ta kemi një rikonstruim të ekipit që merret me agjendë evropiane”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq kryeministri Haradinaj tha pasi u miratua raporti se do tu shkruaj edhe redaktorëve të mediave që të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

“E kam marrë lirinë që tua shkruaj një letër redaktorëve të mediave që të bashkëpunojmë që Kosova të ecë përpara. Që të mos kemi negativitet për vendin dhe të jemi në një frymë”, është shprehur Haradinaj./kallxo.com/