Veturat që vijnë nga Serbia për në Kosovë edhe për një kohë nuk do të bartin targa provuese. Ky përjashtim, megjithatë nuk vlen edhe për veturat që hyjnë nga Kosova në shtetit fqinjë.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte premtuar se të gjitha veturat që hynë në Kosovë nga Serbia do të detyrohet të bartin targa provuese. Ajo kishte përmendur fillimin e muajit nëntor si kohë kur do të mund të ndodhte kjo gjë.
Por tash kur kanë kaluar tri javë të nëntorit, ministrja Tahiri i ka thënë Tribuna Channel se Qeveria është duke përgatitur një projekt. Me këtë rast, sipas saj, Qeveria përveç reciprocitetit është e vendosur që të zgjidh edhe dy probleme të tjera.
“Po trajtojmë tri çështje: e para ka të bëjë me reciprocitetit në targa për të dyja shtetet; e dyta ka të bëjë me largimin e tabelave ilegale që ende janë duke u përdorur sidomos në Mitrovicën veriore dhe çështja e tretë ka të bëjë me veturat e paregjistruara. Në Kosovë ka shumë vetura të paregjistruara që mund të mbërrijnë deri në 10% e veturave që gjenden në vend. Pra për këto tri çështje jemi duke përgatitur një projekt të përbashkët”, tha Tahiri.
Ministrja Tahiri nuk ka dhënë më shumë detaje duke shtuar se është duke u punuar në këtë projekt dhe sa po të jetë gati do ta bëjnë publik pa dhënë ndonjë afat.