Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në ditët në vijim do të riprocedohet amendamenti për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Zotimi i qeverisë për riprocedimin e amendamentit për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, pason vendimin e Kuvendit të Kosovës, i cili kundërshtoi themelimin e saj.
“Do të fillojmë nga sot bisedimet për riprocedurim me deputetet dhe faktorët ndërkombëtar sepse është vullnet i shumicës së deputetëve dhe i qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Ai është mbështetur në këtë synim edhe nga zëvendëskryeministri dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës konsideron se themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte, është një obligim ndërkombëtar që ka marrë përsipër Kosova, kështu që përpjekjet për ngritjen e kësaj gjykate, vazhdojnë pavarësisht kundërshtimit nga Kuvendi.
Të premten, me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi Kosovës nuk e ka miratuar amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Për themelimin e kësaj gjykate ishin të nevojshme 80 vota të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe 14 vota nga radhët e deputetëve që përfaqësojnë pakicat, transmeton rel.
Gjykata Speciale ishte një propozim që kishte dalë në bazë të raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, i përfshirë më pas në raportin e Këshillit të Evropës ku hidheshin pretendime për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e të cilat më pas u hetuan për tre vjet rresht nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare e udhëhequr nga prokurori amerikan, Clint Williamson. (z.gashi)