Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës, me të cilin sipas ekzekutivit sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës.
Në një kumtesë për media, Qeveria i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës” thuhet në reagimin e ekzekutivit..
Poashtu kjo e fundit i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike, transmeton Klan Kosova.