Qeveria nuk e përkrah tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti

E publikuar: 21/04/2022 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës nuk e ka përkrahur tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti. Ky vendim u mor në kuadër të mbledhjes së 70 të ekzekutivit.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se tërheqja e parave nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë të qytetarëve.

“Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrah këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme”.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë duhet konsideruar si të mangët”, thuhet në njoftim.