Qeveria njofton për takimin me diplomatët e BE’së, shmanget tema e demarkacionit

E publikuar: 20/09/2017 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës njofton për takimin e sotëm që zhvilloi me diplomatët e Bashkimit Evropian ku u prezantuan dhe nënvizuan prioritetet e Agjendës Evropiane por që është shmangur tema e Demarkacionit.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova dhe Shefat e Misionit të Bashkimit Evropian, u takuan sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Kryeministri Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit prezantuan dhe nënvizuan prioritetet e Agjendës Evropiane dhe pritshmëritë e Qeverisë si dhe theksuan rëndësinë e rrugës evropiane për Kosovën, shkruan Express.

Ambasadorja Apostolova dhe Shefat e Misioneve të BE-së e mirëpritën fokusimin e qeverisë në Agjendën Evropiane, duke veçuar posaçërisht nevojën e zbatimit të MSA-së, ARE-së dhe marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut.

Pjesëmarrësit u shprehen të kënaqur me takimin dhe u dakorduan të vazhdojnë me këtë lloj të shkëmbimeve në baza të rregullta.