Qeveria e Kosovës ka filluar shpërndarjen e 60 milionë eurove për 36 mijë e 679 biznese private, në kuadër të zbatimit të Pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
Përfitues të kësaj pakoje do të jenë kryesisht bizneset e vogla dhe paratë do të shkojnë drejtpërdrejt në llogarinë e bizneseve.
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se viti 2020 përmbyllet me pasoja të vogla ekonomike, krahasuar me parashikimet që i kanë pasur në qershor kur e kanë përgatitur buxhetin 2020.
Shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se 15 mijë e 500 biznese që i kanë pasur të dhënat e përditësuara në sistemin e Administratës Tatimore të Kosovës tashmë kanë filluar të marrin mbështetjen prej 37.3 milionë euro, ndërsa bizneset e tjera do të paguhen sapo të përditësojnë të dhënat e tyre.
“Vendimi I qeverisë ka qenë një vendim që siguron gjithëpërfshirës të bizneseve në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomikë. Ju njoftoj që komisioni ka nxjerrë listën finale prej 36 mijë e 679 biznese që janë kualifikuar për të qenë pjesë e kësaj pako të rimëkëmbjes ekonomike për subvencionim të shpenzimeve të pagave bazuar në deklarimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës. Këto 36 mijë e 679 biznese do të përfitojnë 60 milionë euro, këto kanë deklaruar të punësuar 206 mijë 852 punëtorë. Përfituesit më të mëdhenj janë bizneset e vogla, firmat deri në 10 punëtorë përfitojnë 45.5% të shumës totale prej 60 milionë, e kështu me radhë, firmat 11 deri 50 punëtorë përfitojnë 26.67% dhe mandej pjesa e mbetur shpërndahet për firmat e tjera”, tha Hoti.
Ai tha se subvencionimi shkon direkt nga Thesari i Kosovës në llogaritë bankare të bizneseve.
Qeveria e Kosovës pret që deri në fund të vitit të kompensojnë ekonominë plotësisht nga ndikimi që ka pasur për shkak të pandemisë me COVID-19.
“Jam i bindur që do ta mbyllim këtë vit me pasoja ekonomike dukshëm më të vogla sesa që I kemi parashikuar në qershor atëherë kur është përgatitë buxheti për vitin 2020”, tha ai.
E ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se mjetet u shkojnë bizneseve si lehtësim për t’i paguar punëtorët.
“Tanimë i kemi në proces mbi 15 mijë e 500 ndërmarrje duke u bërë pagesat, pritet që sot pasdite dhe nesër paradite të kryhen të gjitha këto pagesa. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjitha bizneseve që të azhurnojnë të dhënat e tyre në sistemin në Administratën Tatimore të Kosovës, sidomos ato që kanë të bëjnë me xhirollogarinë e tyre sepse sot patëm disa raste kur na u kthyen qindra pagesa për shkak të xhirollogarisë gabim, andaj sa më shpejt të bëhet azhurnimi i këtyre të dhënave ne do të jemi të gjendje të procedojmë. 60 milionëshi është i alokuar”, tha ajo.
Bajrami tha se kjo është masë që po implementohet në afat rekord./G.Kadrija