Qeveria në mbledhje – merr tre vendime

E publikuar: 24/02/2022 20:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës, sot, ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë tri vendime.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se së pari është plotësuar programi legjislativ i Qeverisë së Kosovës për vitin 2022, duke shtuar Projektligjin për Anti Doping, vendimi do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

“Pastaj, me vendim të ri janë shfuqizuar pikat 2.2 dhe 2.3 të Vendimit të Qeverisë Nr.02/39 të datës 03.06.2020, me të cilin obligoheshin ndërmarrjet publike qendrore të krijojnë një sistem të mirëfilltë dhe të njësuar të menaxhimit të kontratave komerciale”.

Qeveria aktuale e ka akuzuar qeverisjen e kaluar se me vendimin e mëhershëm ndërmarrjet publike ndodheshin në rrezik të vazhdueshëm të krizave financiare.

“Pikat e shfuqizuara parashihnin që asnjë ndërmarrje publike qendrore nuk mund të lidhte kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjës nëse kontrata përmban klauzolë për zbatimin e së drejtës së huaj dhe detyrim të Ndërmarrjes Publike Qendrore për të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar, nëse dënimi ose dëmshpërblimi tejkalon shumën prej 5.000,00 € (pesë mije euro)”, thuhet në njoftim.

“Me përmirësimin e qeverisjes korporative në ndërmarrjet publike dhe përparimit në drejtim të emërimit të bordeve të rregullta dhe menaxhmentit të tyre, konsiderojmë që mekanizmat e kontrollit të vendosura në këto pika tanimë janë të panevojshme”.

Dhe në fund është miratuar edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”. Në negocimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.