Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimin e Ligjit për Kodin Penal të Kosovës, përmes së cilit ka propozuar ashpërsimin e sanksioneve ndaj kryersve të veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka propozuar ashpërsimin e dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale të dhunimit me disa sërë dënimesh plotësuese.
Për personat që shpallen fajtor për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje, ndryshimet në Kodin Penal parashohin ndalimin e të drejtës për punësim në sektorin publik.
“Për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje të shtohen dënime plotësuese si në vijim: ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga 3 deri në 10 vjet personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit dhe dhunës në familje”.
“Ndalimin e punësimit në sektorit publik në të gjitha nivelet për personin që shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit”, vijoi ministrja Haxhiu. “Ndalimin e të drejtës në përfitimin e automjetit dhe drejtimin e automjetit nga 1 deri në 5 vjet për personin e shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit”.
Ministrja po ashtu ka thënë se me ndryshimet në Kodin Penal është paraparë që “kufijtë e dënimit nuk do të ulen”.