Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 117-të, ka marrë vendim për ndarjen e 37 milionë e 500 mijë eurove për Korporatën Energjetike të Kosovës dh Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut.
Qeveria, me anë të një kumtese bën të ditur 20 milionë euro janë ndarë për KEK-un për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik.
Ndërsa janë ndarë 17 milionë e 500 mijë euro për pagesat ndaj borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, njofton Klankosova.tv.
“Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje të mjeteve buxhetore për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik, në vlerë prej 37 milionë e 500 mijë euro, nga të cilat 20 milionë euro janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me rastin e vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 17 milionë e 500 mijë euro janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike”.
Tutje thuhet se sipas këtij vendimi KEK-u obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën për energji elektrike.
“Ky vendim shërben në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 02/117 përmes të cilit, në bazë të interesit publik, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023 deri në 185 GWh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike. Sipas këtij obligimi, KEK obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike”.
Tutje, bëhet e ditur se mjetetet sipas këtij vendimi merren nga kursimet buxhetore.