Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozim-vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksporteve të produkteve bazë si, gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.
Këtë kërkesë e paraqiti ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se ky vendim synon të sigurojë furnizimin e qytetarëve me produkte bazë si, gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.
“Sado eksport i vogël të jetë mund të rrezikojmë tutje furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen. Prandaj për të lehtësuar gjendjen propozojmë ndalimin e eksportit dhe të ri eksportit për disa produkte ushqimore. Vendimi i propozuar ndalon eksportin dhe ri eksportin e drithërave, miellit, vajit ushqimor, kripës dhe sheqerit”, ka thënë Hajdari.
Në ndërkohë, kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve në vend.
“Agresioni rus dhe invazioni në Ukrainë kanë ndikuar në zingjirin e furnizimit të produkteve agro-ushqimore në Evropë. MINT me institucionet përkatëse dhe akterët në treg ka përcjell rritjen e çmimeve dhe evidencën e eksportit të mallrave. Si rezultat i të dhënave nga terreni do sjellim ndalimin e përkohshëm eksportit dhe të ri eksportit të disa produkteve ushqimore”, tha Kurti.