Qeveria miraton shpërbërjen dhe integrimin e pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile”

E publikuar: 22/07/2015 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bazuar në rezultatet e dialogut të Brukselit me Beogradin, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të shpërbëjë, përkatësisht të integrojë në institucione 483 persona nga formacioni i ashtuquajtur “Mbrojtja Civile” që vepron në veri të Kosovës.

Ministrja e Dialogut me Serbinë, Edita Tahiri ka paraqitur para kabinetit qeveritar konkluzionet e dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë për shpërbërjen e “Mbrojtjes Civile”.

“Konkluzionet në fjalë parashohin mbylljen e të gjitha pikave vëzhguese të sigurisë së objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale dhe dorëzimin e tyre tek institucionet e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës me këtë marrëveshje është zotuar për të integruar 483 individë që kanë qenë pjesëtarë të kësaj strukture”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, integrimi i këtyre personave do të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës, përkatësisht Ligjin për shërbimin civil të Kosovës, ku janë parë të gjitha normat për integrim, përfshirë edhe verifikimet përkatëse të sigurisë.

Tahiri paraqiti edhe planin e integrimit, ku pasqyrohet një listë e ministrive dhe agjencive që do të integrojnë këta persona, e që do të jetë e kushtueshme për buxhetin e Kosovës.

Në lidhje me këtë hap, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se janë zhvilluar konsultime edhe me ministrin e Financave.

“Ne kemi një hapësirë të punësimit për këtë vit dhe natyrisht edhe buxhetet e punësimit. Ne duhet të zbatojmë një vendim të tillë në mënyrë që t’i integrojmë këto struktura, dhe pastaj sipas proceseve që i paraqiti ministrja ne do të bëjmë shuarjen e këtyre strukturave”, ka deklaruar Mustafa.

“Mbrojtja Civile” është konsideruar nga institucionet e Kosovës si një formacion ilegal i sigurisë për të cilin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është arritur marrëveshja që të shpërndahet dhe të vijon më pas procesi i integrimit. /rel/