Qeveria miraton koeficientin në ligjin për buxhet, ia procedon Kuvendit

E publikuar: 31/01/2023 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës te martën ne një mbledhje elektronike ka miratuar ndryshimet ne Ligjin për Buxhet që kanë të bëjnë me vlerën e koeficientit të Ligjit për Paga.

Ky ndryshim i Ligjit do ti procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim në Komisionet parlamentare e më pas do të bëhet shqyrtimi e miratimi i tij në seancë plenare.

Ligji pritet që në seancë të futet me procedurë të përshpejtuar, kjo pasi, deri më pesë shkurt është afati i fundit kur Ligji i Pagave duhet të hyjë në fuqi.

“Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023, ku me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2023 edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023; dhe – Vendimin për aprovimin e Programit për Reforma në Ekonomi 2023-2025”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Vlera e koeficientit ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar se do të bëhej brenda muajit të janarit.

Ndërkaq, partitë opozitare kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin në fjalë.