Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dërgimin e një kontingjenti të ushtarëve të FSK-së në Turqi për ndihmë pasi ky vend u godit nga tërmete shkatërruese. Presidentja Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mbledhja e Qeverisë është mbajtur në formë elektronike të hënën në mbrëmje.
Në komunikatën e dërguar në medie, bëhet e ditur se dërgesa e kontingjentit është bërë me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se populli i Kosovës qëndron pranë Turqisë në këto kohë të vështira.
“Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira”, shkruan komunikata.
Po ashtu, Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Janë mbi 2,500 të vdekur deri tani dhe mijëra të lënduar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë Jugore dhe pjesë të Sirisë në mëngjesin e sotshëm. Numri i viktimave ende është në rritje.