Qeveria me strategji kundër terrorizimit

E publikuar: 07/09/2015 16:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka miratuar sot draft-strategjinë nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili ka udhëhequr këtë mbledhje, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë për t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ta parandaluar dhe luftuar të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Ai ka vlerësuar faktin se draft-strategjia që po hartohet është mjaft gjithëpërfshirëse dhe se ajo përbën një nga instrumentet përmes të cilës do të adresohen angazhimet e Kosovës në këtë drejtim.

Mustafa ka shprehur vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë aktive e angazhimeve të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër këtyre dukurive. Pas aprovimit nga ana e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kjo draft-strategji pritet të aprovohet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës./express/